Gazetar - Poet - Astronom_______ Shkrimet, që i gjeni këtu, janë bërë publike nga medie të shkruara kombëtare e ndërkombëtare - copyright A. Jashari
domenica 13 marzo 2016
Reflektoni pozitë, reflektoni opozitë, reflektoni qytetar të lirë
Nga: Avni Jashari
Edhe pse e kisha potencuar disa herë në kolumnet e mia se vendi po rrëshqet gradualisht në një konflikt të mundshëm qytetar, gjithherë kisha një lloj rezerve, sepse në ndërdije mendoja se një gjë e tillë dashtë zoti të mos ndodhë.
Vënia e tendave nga opozita thuaj se mbeti protestimi gati i vetëm duke i bërë me dije opinionit të gjerë e posaçërisht bashkësisë ndërkombëtare se revolta qytetare kalon kufijtë deri në këtë pikë me mospajtimet e kësaj qeverisjeje e cila që nga fillimi askush hajrin për mirë nuk ja ka pa.
Simbolika e tendave është diçka që është përdorur shumë kohë me parë por edhe në ditët e sotme, në botën e mirëfilltë demokratike. Që nga Martin Luter King në SHBA (1968) pastaj në Londër të Anglisë, Ukrainë etj.
Tenda apo shatori ka një simbolik që përpos protestës përçon mesazhin e qartë se njerëzit edhe pse fizikisht jetojnë në vendin e tyre, ata konsiderohen si të pa strehë, e kjo strehë është sigurisht qeveria e cila është mburoja kryesore e shtetit.
Shqiptarët e Kosovës gjithandej botës po qëndrojnë në tenda si pasoj e ardhjes në pushtet të kësaj qeverie.
Sigurisht se ju kujtohen shpërnguljet masive të qytetarëve tanë kohë më pare, pamje këto që ju ngjanin ikjeve gjatë dhe para luftës në Kosovë. Shumica u kthyen e një pjesë e tyre po vazhdojnë të qëndrojnë në tenda në Hungari, Francë e Gjermani.
Sot qytetarët e Kosovës u detyruan që edhe ne shtetin e tyre të dalin e të qëndrojnë në tenda, pra gjendja e tyre është gati e ngjashme, ata që ikën nga kjo qeveri po qëndrojnë në tenda në perëndim, e këta që mbetën dhe po protestojnë për rrëzimin e kësaj qeverie, njësoj po qëndrojnë nëpër tenda.
Deklarimet janë të shumta nga dy palët, si nga pozita po ashtu edhe nga kolegët e tyre që për dallim këta të fundit tash deklaratat i lëshojnë nga sheshi, sepse sheshi është bërë shtëpia e tyre se bashku me ata qytetar që ju kanë bashkangjitur këtij lloj protestimi e që në fakt aty po duken se ka edhe nga parti të tjera në mesin e tyre, si p.sh. LDK.
Me procedimin e votimit të Hashim Thaçit president, përshkallëzimi i protestave do të intensifikohet e madje do të jetë e vështir edhe menaxhimi i tyre nga organet e rendit, për faktin se mbështetësit e Thaçit kanë paralajmëruar se do të festojnë nëse ky i fundit do të bëhet president i vendit, ndërkaq opozita dhe një pjesë e madhe e qytetarëve nuk e përkrah fare këtë fund të gjithë kësaj telenovele.
Dy taborre në një shesh, njeri kundër e tjetri pro është tendencë e madhe për një konflikt të mundshëm qytetar i cili do mundë të kishte pasoja tejet të rënda dhe të dhimbshme për të gjithë. Arsyeja e kokëfortësisë është diçka që do t`i kushtoj shumë rendë vendit tonë, do t`i kushtoj shumë më shumë se pozita e presidentit më çdo kusht për individ të ndryshëm.
Ka qenë momenti i kur kjo qeveri bëri shkeljen e aktit më të lartë të shtetit, Kushtetutës së Kosovës kur ishte dashtë që të njëjtit të jepni dorëheqje duke i dhënë udhë një qeverie teknike deri në datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Nëse Hashim Thaçi nuk e bëri ishte dashtë që këtë akt ta bënte Isa Mustafa, ku me një akt të tillë sigurisht se do ta merrte simpatinë e shumë skeptikëve të cilët nuk janë as me pozitën as me opozitën, dhe besoni të tillët nuk janë fare të paktë. Me këtë akt Mustafa do të bëhej një njëri shumë largpamës dhe që për të mirën e përgjithshme do ta bënte një hap të tillë duke e sakrifikuar edhe pozitën e kryeministrit të Kosovës.
Populli thotë: “Një herë vjen vera kah dera”, këtë “verë” e humbën pozita dhe sot situata është shumë më e rënd dhe më serioze. Sot inatet personale kanë kaluar kufijtë e atyre shtetërore e institucionale. Sot vendi ynë rrezikon konflikt qytetarë ngase politikanët dhe udhëheqësit tanë nuk qajnë fare kokën për stabilitet dhe të mirën e përgjithshme kolektive.
Sot është vonë, e nesërmja nuk premton as mrekullira e as të mira. Është momenti i rëndësishëm që të lutemi të gjithë për qetësi dhe reflektim pozitiv nga të dy taborret, e në këtë rast natyrshëm dhe sigurisht përgjegjësia u takon më shumë atyre që janë në pushtet.
Të lutemi e të shpresojmë, gjendja jonë nuk përmirësohet nëse ne nuk bëjmë punën tonë për ta ndryshuar atë. Reflektoni pozitë, reflektoni opozitë, reflektoni të gjithë ju qytetarë e bashkëkombësit e mi, e sotmja shkoj, e nesërmja është tepër vonë.
(25.02.2016)
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento