Gazetar - Poet - Astronom_______ Shkrimet, që i gjeni këtu, janë bërë publike nga medie të shkruara kombëtare e ndërkombëtare - copyright A. Jashari
giovedì 14 luglio 2016
Politikat destruktive po rrezikojnë vendin
Nga: Avni Jashari
Protesta, e skena të ndryshme në qytetet e Kosovës e sidomos në kryeqendër, në Prishtinë, kohë më parë i mbushën faqet e mediave kombëtare e ndërkombëtare. Demarkacioni si dhe asociacioni i komunave serbe ishin dy gjëra bazike që ngrehën në këmbë një masë të madhe të popullatës, madje këto dy kauza e bashkuan edhe opozitën me gjithë brishtësitë që kishte brenda këtij bashkëpunimi.
Politikanët dhe politikat e tyre destruktive e kanë sjell Kosovën buzë greminës, sot në vendin tonë si në zonat rurale e po ashtu edhe urbane ju vije për të vjell vetëm nëse përmendët fjala politikë, diçka që tek ta asocion menjëherë me korrupsion, krim, shantazh, gënjeshtër e të gjitha të zezat.
Se ne si vend kaluam nëpër të gjithë ato gjëra që popuj të rrallë në botë kanë kaluar tmerre e terrore të tilla kjo nuk do diskutim, por se sot gjyshërit e baballarët tanë të thirrën në vlerat e një ish/ Jugosllavie dhe të një prijësi siç ishte Tito, është kulmi i turpit që duhet ta mbajnë në ndërgjegjeje të gjithë këta pushtetarë që e kanë katandis vendin tonë dhe e kanë sjell në një pikë ku vërtetë rimëkëmbja do punë dhe sfida të paparashikuara.
Sot sërish për të mirën e dikujt dhe për politika puro shkatërruese pretendohet të sillet sërish në Kuvendin e Kosovës çështja e demarkacionit dhe të votohet po ashtu pa ndërhyrje. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë sot ka kërkuar që për këtë çështje të ketë debat qeveritar. Nuk është se neve po na shtyn faktori ndërkombëtar me zor të nënshkruajmë diçka të dëmshme si rasti i asociacionit të komunave më shumicë serbe ose demarkacioni, janë politikat destruktive ato të cilat na kanë sjell sot këtu ku jemi, këto politika interes primar e kanë pas dhe e kanë pasurimin individual e klanor, ndërkaq rregullimin e sistemit ekonomiko social fare nuk e kanë pasur e as që e kanë në platformat e tyre të shtet ndërtimit.
Në një shkrim autorial akademik Kraja ndër tjera thotë së në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë amoralitet dhe kaq mungesë vlerash njerëzore, kaq shumë prirje kriminale dhe kaq shumë shfytyrim njerëzor, kaq shumë erozion të brendshëm dhe kaq shumë degradim kolektiv dhe individual. Nuk ka pasur kurrë kaq shumë krim, drogë, prostitucion, trafikim, gënjeshtra, hajni, korrupsion, imoralitet, hipokrizi…, këto pashmangshëm i ka sjell politika dhe politikanët tanë destruktiv, të pa shkollë dhe anti atdhetar, se po të ishin sado pak atdhetar sot Kosova kishte me ngja me një vend të mirëfilltë demokratik e stabil.
Sot është momenti dhe koha që të gjithë qytetarët e këtij vendi ti thonë jo Demarkacionit ti thonë jo politikave shkatërruese, ti thonë jo të gjitha të këqijave.
Protesta masive duhet të ketë tani dhe ato nuk guxojnë të kenë ngjyrime politike sepse me këto të fundit u dëshmua se ato tentuan të manipulohen për poena politik. Kosova nuk ka tokë për të falë për qejfe të dikujt, Kosova nuk është tokë për trafikim të qarqeve të ndryshme politiko-kriminale. Ne gradualisht tutje po zhytemi në baltën e cila ka përpij të gjithë trupin tonë dhe vetëm koka në ka mbetur ende jashtë saj. Të mendojmë secili nga ne pra me kokë e cila ende nuk na është baltosur nga këto ndyrësira politike e frazeologji që bëhen sa për sy e faqe dhe sa për ti mbush mediat me përralla e rrena të kota.
Sot duhet të mendojmë dhe njëherë e përgjithmonë ti themi JO kësaj gjendje të cilën nuk e kishim imagjinuar asnjëherë dhe nuk e kishim pas as në ëndërr. Kosova dhe populli i saj në përgjithësi duhet të jetë zëri i vetëm opozitar i të gjithë këtyre matrapazëve të cilët kanë lënduar dhe kanë shkatërruar ëndrrën tonë dhe atdhedashurinë që kishim dikur.
(12.07.2016)
Nepotizmi ka ngufatur Kosovën
Nga: Avni Jashari
Jemi dëshmitar tash e sa kohë që vendi ynë ka ngecur në shumë fusha. Varfëria dhe kriza ekonomiko- sociale sa po vjen e po shtohet në vendin tonë. Këto plagë të pashëruara që nga lufta e së këndejmi e kanë një përgjigjeje, ajo është nepotizmi të cilin e kan instaluar pushtetarët tanë e që nga paslufta e i cili ka lulëzuar e po lulëzon ende ku është bërë si një kancer i pashëruar për këtë shoqëri.
Pushtetarët tanë nuk kanë hezituar që në vende kyçe t`i vendosin të afërmit e tyre, si vëllezërit, kushërinjtë e dajallarët. Këta të fundit kanë pasur dhe kanë komoditetin që të emërojnë persona në ato kompani shtetërore, gjysmë të privatizuara e të privatizuara pa kurrfarë kriteri dhe pa asnjë eksperiencë relevantë në të cilën është emëruar p.sh. X-Y personi nga “vëllezërit” e pushtetarëve.
Gjendja kaotike në të cilën gjendet Kosova ta jep një përshtypje e cila pak a shumë i ngjanë Italisë së viteve 70, 80 e 90-ta, ku krimi, korrupsion e mafia shtetërore janë instaluar në të gjitha porët jetësore.
Kjo gjendje që sa vjen e rëndohet ka irrituar tej mase studentë, mjek, arsimtar, pensioner, bujq, amvise etj. të cilët tanimë nuk po gjejnë mbështetje te asnjë subjekt politik parlamentar ku si pozitë si opozitë luftojnë dhe punojnë për interesat e tyre të ngushta partiake e klanore.
Nëse kështu vazhdohet, fatkeqësisht revolta qytetare herët apo vonë ka me qenë e pashmangshme dhe tejet e dhimbshme. Bashkësia Ndërkombëtare dhe tërë faktori ndërkombëtar në përgjithësi duhet ta dijë se kjo elitë politike e sundimtare që ka qeverisur e ende po qeveris me vendin e ka sjell mjerimin e skajshëm në të gjitha poret jetësore në vend.
Janë po këta njerëz që me nepotizëm, korrupsion, shantazh e të gjitha matrapazllëqet që kanë bërë e po bëjnë e kanë lënë anash këtë shoqëri e cila do të mundte të ishte përkrah shteteve më të zhvilluara në Europë.
Çrrënjosja e nepotizmit duhet të jetë në fokusin e të gjithë atyre që duan ta ndryshojnë këtë vend për të mirë, këtu duhet me do e mos edhe ndihma e faktorit ndërkombëtar dhe ShBA-ve, të cilat kanë ndihmuar e investuar që Kosova të ketë institucione kredibile e jo ‘Vllaznillëk’ e familjarizim duke e degraduar shtetin dhe duke vjedhur paranë publike.
E tëra kjo duhet ta ketë një fund, e fundi nuk është i largët ngase tanimë të gjithë janë të lodhur e lodhja e tepruar shpesh manifestohet me ‘tërbim’ të tmerrshëm.
(20.06.2016)
Iscriviti a:
Post (Atom)