Jemi mësuar që nga fëmijëria të dëgjojmë fraza të bukura e madje edhe thurje vargje brilante për qytete e vende ku njeriu kalon jetën e ku ndërton ardhmërinë e tij dhe të atyre që e rrethojnë. Do të doja që edhe ky shkrim i imi të ishte i llojit të tillë, i një pasqyre shembulli apo panorame impozante.
Qyteti im një ditë më tha se nuk më do më, e nga ajo ditë çdo rrugë, çdo faqe, çdo shesh e çdo qosh ndryshoj... Sikur të ecje brenda një elaborimi tredimensional të çekuilibruar. Ngjyrat që kishte dikur janë humbur, edhe shijet po ashtu.
Unë akoma po eci neper rrugët e tua, por këpucët e mia dhe taket nuk tingëllojnë si më parë. Ndoshta kjo vije si pasojë e rrugëve të prishura nga ky dimër i cili siç po duket nuk do të përfundoj kurrë, ose ka ardhur koha që unë ti ndërrojë këpucët e mia? Nuk e di.
Po ndahemi..., diçka ka ndryshuar. Ti nuk je më ti, po fshihesh në një mjegull dhe nga dita në ditë po humb ngadalë dalë. Ti po gllabërohesh, sheshet e qoshet e gjelbëruara po humbin, ti po vdes para syve të mi e unë nuk po kam fuqinë të të jap ndihmën e duhur. Ndihmën që ti e meriton.
“Poema e mjerimit” nuk recitohet e kujtohet vetëm për persona fizik, atë sot ja dedikoj qytetit tim. Nuk po e di se a me ke tradhtuar ti apo te kamë tradhtuar unë nga frika, frika nga fundosja. S`ka dyshim ti po fundosesh jo nga uji por nga çimento, pluhuri e bërlloku. A ekziston kura për ti shëruar këto infeksione të ndyra! A do ta sjell historia prapë një Alexander Flleming të ri i cili do ta zbulonte ndonjë “penicilinë” për ta shëruar qytetin tim nga vullgarizmi infektues e nga mikroorganizmat qe po e shkatërrojnë metabolizmin deri në vdekje definitive?
Ja pse qyteti im nuk më do, sikur në ndërvetëdijen time më thotë që të iki sa më larg tij që në vetëdijen time të mbesin ato pak kujtime të bukura që kam për të. Ai (Lexo: qyteti) po lufton pa shpresë më një kancer i cili fare nuk po lokalizohet por vetëm po zgjerohet. Ai nuk dëshiron që ta shoh unë në këtë gjendje.
Dielli lindi por shumë shpejt perëndoj, po pres frymën e ngrohët të iki ngase qëndrimi i mëtejmë në këtë “Saharë” tmerruese do mi infektoj edhe ëndrrat e mia, retë e murrme që aq shpesh shfaqën, ranë mbi lagjen time, ato po intensifikohen nga dita në ditë...Qyteti im nuk ekziston më!